VLERA E MUAJIT MUHARREM DHE AGJËRIMI I DITËS SË ASHURASË

img_girls-ly1383907855_468

VLERA E MUAJIT MUHARREM DHE AGJËRIMI I DITËS SË ASHURASË

Nga hoxhë Emerim Koci

Falënderimi i takon Allahut,paqja dhe mëshira qofshin mbi të dërguarin sal-lallahu alejhi we sel-lem. Allahu xh.sh.e veçoi muajin Muharem me disa veçori, pasi është edhe muaji i parë i vitit hixhri, në kalendarin të cilin e caktoi halifja i dytë Umeri r.a. në vitin 637,  kur dihet se këtë muaj Allahu xh.sh. e dalloi duke e shpallur si muaj i shenjtë në të cilin është e ndaluar lufta, krahas me muajin Rexheb; Dhul-kade dhe Dhul-Hixhxhe.Muaji Muharrem është një muaj madhështor dhe është muaji i parë i vitit hixhri (hënor) dhe njëri prej katër muajve të shenjtë Allahu xh.sh. thotë: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë, ashtu siç është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë,dhe mos e dëmtoni veten tuaj (me mëkate) në ata….” (Teube, 36).

Transmetohet nga i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem se ka thënë: “Viti i ka dymbëdhjetë muaj katër nga ata janë të shenjte, tre janë varg: Dhul ka’de, Dhul hixhxhe dhe Muharrem kurse muaji Rexheb është mes Xhumades dhe Shabanit” [Transmeton Buhariu nr.2958].

Vetë fjala Muharrem ne gjuhën arabe d.m.th “e ndaluar per hir te madheshtise dhe shejterise se tij”.Në ajetin e sipërmendur ku ka thënë Allahu “dhe mos e dëmtoni veten tuaj në ta”, pra në muajt e shenjte sepse mëkati është më i madh në këta muaj sesa te tjerët .Kurse Abdullah ibn Abbasi ka thënë për këtë ajet: “Mos e dëmto veten tënde në çdo muaj, e më pas Allahu i ka veçuar këta katër muaj, i ka bërë të ndaluar dhe e ka madhëruar shenjtërinë e tyre, ku mëkatimin edhe shpërblimin i ka shumëfshuar në këta muaj.”

VLERA E AGJËRIMIT TË MUAJIT MUHARREM

Transmetohet nga Ebu Hurejre radijAllahu anhu se ka thënë: Ka thënë i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut Muharrem” [Transmeton Muslimi nr.1982].I dërguari Allahut këtë e quajti muaj i Allahut për shkak të vlerës dhe madhështisë së tij. Është vërtetuar se i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem nuk e ka agjëruar asnjë muaj tërësisht përpos muajit të Ramazanit, kështu që nga ky hadith nënkuptojmë vlerën e agjërimit sa më shumë të ditëve të këtij muaji të shenjte.

DITA E ASHURES NË HISTORI

Transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi se ka thënë: “Erdhi i dërguari Allahut sal-lallahu alejhi we sel-lem në Medine dhe i pa çifutët duke agjëruar ditën e Ashures dhe tha: Ç’është kjo? I thanë: Kjo është ditë e mirë, në këtë ditë Allahu i shpëtoi beni Israilët nga armiku i tyre dhe e ka agjëruar këtë ditë Musai alejhi selam.Tha: Unë jam më meritor për Musain alejhi selam sesa ju, dhe e agjëroi këtë ditë dhe ka urdhëruar që të agjërojnë”. [Transmeton Buhariu nr.1865]

Në transmetimin e Muslimit është përmendur në hadith: “Kjo është një ditë e madhe, në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain alejhi selam dhe popullin e tij, dhe e fundosi Faraonin dhe popullin e tij, dhe e ka agjëruar Musai alejhi selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut prandaj edhe ne e agjërojmë këtë ditë”.Kurse në transmetimin e imam Ahmedit është përmendur kështu: “… kjo është dita kur është ndalur anija (e Nuhit alejhi selam) në kodrën Xhudij dhe Nuhi alejhi selam e ka agjëruar këtë ditë në shenjë falënderimi ndaj Allahut”.

Po ashtu transmetohet nga Buhariu se i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem i ka thënë shokëve të tij: “Ju jeni më meritor për Musain alejhi selam sesa ata (çifutët) prandaj agjërojeni këtë ditë”.Agjërimi i ditës se Ashures ka qenë traditë e njohur edhe në periudhën e injorancës (para shpalljes së Muhammedit sal-lallahu alejhi we sel-lem) dhe transmetohet nga Aisheja radijAllahu anha e cila ka thënë: “Populli yne e agjëronin këtë ditë edhe para Islamit.”

Thotë imam el-Kurtubi: “Me siguri Kurejshëve iu ka mbetur kjo traditë nga feja e Ibrahimit alejhi selam dhe është vërtetuar se i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem ka agjëruar këtë ditë edhe në Mekë para se të shpërngulej në Medine, pastaj ka hasur te çifutët të cilët e festonin këtë ditë, gratë e tyre u stolisnin me rroba të bukura, dhe për t’u dalluar besimtarët nga jobesimtarët i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem nuk iu lejoi myslimanëve kremtimin e kësaj dite por i urdhëroi besimtarët me agjërim.

VLERA E AGJËRIMIT TË DITËS SË ASHURES

Transmetohet nga Ibn Abbasi radijAllahu anhu se ka thënë: “Asnjëherë nuk e kam parë të dërguarin sal-lallahu alejhi we sel-lem më të kujdesshëm në agjërim sesa për agjërimin e ditës së Ashures dhe muajit të Ramazanit.” [Buhariu nr.1867].Po ashtu ka thënë i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem: “Me agjërimin e ditës së Ashures shpresoj tek Allahu të mi fal mëkatet e vitit të kaluar” [Muslimi 1976].Pra kjo është dhuntia e Allahut xh.sh. dhe mëshira e Tij ndaj besimtarëve ku për një ditë të agjërimit vullnetarë i shlyen gjynahet e një viti. Prandaj të jemi sa më të kujdesshëm që mos të na kalojë kjo ditë pa e agjëruar.

CILA DITË ËSHTË ASHURA?

Vetë fjala “Ashura” në gjuhën arabe d.m.th. “e dhjeta” pra dita e dhjetë e muajit Muharrem.

ËSHTË SUNET QË TË AGJËROHET DITA E NËNTË DHE E DHJETË E KËTIJ MUAJI

Transmetohet nga Abdullah ibni Abbas: “Kur agjëroi i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem ditën e dhjetë dhe urdhëroi për të agjëruar, i thanë shokët e tij: Këtë ditë e madhërojnë çifutët dhe të krishterët o i dërguar i Allahut! Ai jua ktheu duke thënë: “Kur të vijë viti i ardhshëm inshaAllahu e agjërojmë edhe ditën e nëntë”, dhe nuk e përjetoi i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem vitin e ardhshëm por nderroi jete. [Muslimi nr.1916].

Megjithatë agjërimi i ditës se nëntë mbetet sunet i të dërguarit sal-lallahu alejhi we sel-lem për umetin e tij edhe pse nuk e ka përjetuar këtë ditë të agjërimit, sepse po të ishte gjallë e kishte agjëruar këtë ditë.Shejhul islam Ibn Tejmije thotë: “Kuptohet qartë nga ky hadith se qëllimi i agjërimit të ditës së nëntë dhe dhjetë të muajit Muharrem është të dalluarit nga ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) dhe mos përngjarja me ta.”

MËKATET QË FALEN ME AGJËRIMIN E DITËS ASHURA

Imam Neueuiu thotë: “Me agjërimin e ditës Ashura falen të gjitha mëkatet e vogla përpos mëkateve të mëdha.”Po ashtu Ibn Tejmije thotë: “Abdesi, namazi, agjërimi i muajit të ramazanit, Ditës së Arafatit dhe Ditës së Ashures falen vetëm mëkatet e vogla.”Ndërsa i përket mëkateve të mëdha duhet penduar me kushtet e pendimit.

RISITË (BIDATET) E DITËS SË ASHURES

Është pyetur shejhul-islam Ibn Tejmije [Allahu e mëshiroftë!] për veprimet që veprojnë njerëzit në ditën e Ashures, si p.sh. lyerja e duarve me kanë, larja e trupit, përshëndetjet, zierja e farave (grurit), kremtimet etj. A janë të bazuara këto veprime në Kuran dhe sunet apo jo?Përgjigjja: Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar, për asnjë vepër të tillë nuk është transmetuar ndonjë hadith nga i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem as nga shokët e tij, e as që e ka pëlqyer dikush prej dijetarëve muslimanë apo dikush nga katër imamët ose dikush tjetër, as që është transmetuar ndonjë argument i saktë apo i pasaktë për gjëra te tilla në librat më me famë islame nga i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem apo sahabet apo tabiinët.

Më pas Ibn Tejmije tregon ngjarjet dhe sprovat që kanë ndodhur në fllimin e këtij umeti si vrasjen e Husejnit radijAllahu anhu, dhe çka kanë shpikur sektet dhe grupacionet më pas, në vazhdim thotë:Kanë dale grupe njerëzish injorantë dhe dëmbërës dhe janë të ndarë në sekte te ndryshme, si: Shi-itet, shtrembëruesit e të vërtetës, hipokritët me fraksionet e tyre të degjeneruara të cilët pretendojnë dashurinë e të dërguarit sal-lallahu alejhi we sel-lem dhe familjes së tij duke e shndërruar ditën e Ashurasë në ditë pikëllimi, vajtimi, ku demonstrojnë simbole të injorancës si rrahja e vetes, zhveshja e rrobave, brohoritja me ngushëllime kërcënuese, recitime të poezive pikëlluese si dhe transmetimin e tregimeve të rrejshme e të trilluara ku nuk ka në te asgjë të vërtetë përpos ripërtëritjes së pikëllimit, radikalizmit, revoltimit të urrejtjes, luftës dhe shpikjes së ftneve në mesin e muslimanëve dhe gradualisht arrijnë deri tek sharja dhe ofendimi i sahabeve.Te këqijat dhe dëmet e këtyre ndaj Islamit dhe muslimanëve nuk mund t’i numëroi as njeriu më orator.

Nënkuptojmë se ata të cilët kanë rënë në ketë besëtytni ose janë radikalët dhe ekstremistët ndaj Husejnit radijAllahu anhu (shiat me grupet e tyre), ose i takojnë grupit të injorantëve të cilët të keqes iu kanë përgjigjur me të keqe dhe gënjeshtrës me gënjeshtër dhe bidatit me bidat, kanë shpikur tradita që simbolizojnë gëzimin dhe kremtimin e ditës së Ashures me lyerjen e kanës, harxhimet brenda familjes me zierjen e ushqimeve (ëmbëlsirave) të dalluara nga ditët e zakonshme, e gjëra të ndryshme sikur që bëhen në ditët e bajrameve dhe gëzimeve, pra këta e konsiderojnë ditën e Ashures ditë të bajramit dhe të gëzimit, kurse ata të parët e konsiderojnë ditë zie dhe pikëllimi. Që të dyja grupet janë jashtë sunetit të Muhamedit sal-lallahu alejhi we sel-lem. [El-Fetawel Kubra- Ibnu Tejmijjeh].

Lexues të nderuar! Jemi shumë nevojtarë për këto ditë të begatshme të Allahut, që të na falen gabimet dhe gjynahet tona dhe të jemi robër falënderues të Madhit Allah, prandaj së bashku të jemi më të kujdesshëm në shfrytëzimin e këtyre ditëve duke e përkujtuar njeri-tjetrin me agjërim dhe adhurim.Dhe kurrsesi mos i dëgjoni dhe as mos i shikoni këto sekte te dala nga e vërteta islame si muslimanë të mirëflltë, sidomos në vendin tonë, ku sekti bektashi është një sekt i afërt me shiitët e Iranit. Janë aq shumë larg të vërtetës sa që dhe ditën e dhjetë te muajit Muharrem e kane tjetërsuar në ditë të hashures, ditë ëmbëlsire që gatuhet specifke në këtë dite nga bektashinjtë.

E lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej pasuesve të sunetit të Muhamedit sal-lallahu alejhi we sel-lem dhe të na gjallërojë me Islam dhe të vdesim me iman.E lusim Allahun të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin ndaj Tij, e lusim të na i pranojë lutjet tona dhe të na bëjë të devotshëm.Paqja dhe mëshira Allahut qoftë mbi Muhamedin sal-lallahu alejhi we sel-lem dhe mbi familjen dhe shokët e tij! Amin!

 

Share
>
Facebook