Boll kemi xhamia!

Download PDF

Hoxhë Husamedin Abazi

 

Jo rrallë-herë e dëgjojmë këtë kërrhamë nga disa “intelektualë” e “patriotë”, e sidomos kur konstatojnë se vazhdojmë të kemi një numër të pamjaftueshëm të shkollave, spitaleve etj.

Këta harrojnë se xhamitë i ndërton Bashkësia Islame me kontribute nga populli, OJQ të ndryshme dhe pa u përkrahur aspak nga buxheti i shtetit, edhe pse të gjithë frekuentuesit e xhamive janë taksapagues të këtij shteti. Pra, këtyre t’iu marrësh është në rregull, t’iu japësh është jo-laike. Në një farë forme mund të quhet diferencim. Këtyre “intelektualëve” dhe “patriotëve” ky laicizëm ekstrem, i cili me një prerje cezariane e bën ndarjen e shtetit nga feja, ngjashëm si Franca, nuk ju mjafton, por duan që edhe iniciativat e BIK-ut dhe të OJQ-ve për t’i plotësuar deri diku nevojat e besimtarëve, t’i ndalojnë! Kur është fjala te xhamia, këta të gjorë nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë, se ajo është jo thjesht një objekt fetar, por një vendtakim ku karikohen zemrat dhe mendjet e besimtarëve 5 herë në ditë. Përveç kësaj është edhe vend nga i cili morali dhe edukata e mirë përhapet gjithandej ndër frekuentuesit e saj dhe më gjerë në shoqëri. Xhamia pra, nuk është një objekt ku besimtarët takohen vetëm një herë në javë për të mbajtur mbledhjen e partisë, por është Shtëpi e Zotit, ku besimtarët mbajnë ekuilibrin jetësor gjatë gjithë jetës së tyre. Ndoshta jo rastësisht Allahu na ka nderuar me 5 kohë të namazit gjatë ditës, më shumë se sa ne e ushqejmë trupin me bukë – 3 herë gjatë ditës, e që kjo na dëshmon se mirëmbajtja shpirtërore dhe psiqike kërkon më shumë angazhim nga ne, se sa ajo fizike. Për atë shoqëria muslimane dhe njerëzore në përgjithësi, ka nevoja urgjente për xhami të mëdha të lagjeve dhe xhami të vogla të paralagjeve.

P.S. Këtu nuk u zgjeruam në trajtimin e shumëdimensionalitetit të xhamisë dhe rolit të saj në shoqëri…

Gjithashtu nuk themi se nuk na mungojnë hapësira të mjaftueshme të shkollave dhe sidomos spitaleve, e po ashtu edhe fabrikave, që makineritë iu janë shitur për hekur. Përkundrazi i ftojmë organet shtetërore të ndërtojnë sa më shumë objekte të tilla të nevojshme për popullatën.

Share

Kibla, reviste social, historike, fetare e historike 17