Dispozitat e kujdestarisë në Islam

Download PDF

thumb.php

Dispozitat e kujdestarisë në Islam

Në thelb martesa është paqe në familje dhe vazhdimësi e dëshurisë, por ndonjëherë ajo pëson krisje pas lindjes së disa konflikteve mes dy bashkëshortëve. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka ligjëruar divorcin si një ilaç pas të gjitha përpjekjeve për mjekimin e martesës. Meqë Islami përkujdeset për brezat e tij, legjislacioni islam i ka dhënë një rëndësi të veçantë kujdestarisë së fëmijëve. Meqë kujdestaria është një problematikë që e hasim shpeshherë në realitetin e jetës së përditshme dhe shumë njerëz nuk kanë njohuritë e nevojshme rreth saj, duke i bërë ata që të konsumojnë shumë kohë nëpër gjykata për zgjidhjen e kësaj problematike, ne do të përpiqemi që të sqarojmë disa dispoizita që lidhen me të.

Domethënia e kujdestarisë:

Jursitët muslimanë e kanë përkufizuar kujdestarinë si një detyrim për edukimin e fëmijës dhe plotësimin e nevojave të tij në atë përiudhë kohore që nuk mund të shmanget rroli i grave që u takon ligjërisht e drejta për edukimin e fëmijës. Fëmija kalon në disa etapa gjatë fëmijërisë. Etapa e parë është ajo e vogëlisë, pra etapa kur fëmija nuk bën dallimin mes të mirës dhe të keqes. Etapa pasardhëse është ajo e dallimit mes të mirës dhe të keqes. Pra fëmija ose është në gjendje ta bëjë këtë dallim ose nuk është në gjendje. Si rrjedhojë dispozitat e kujdestarisë lidhen dhe ndryshojnë bashkë me ndryshimin e këtyre etapave.

Etapat e kujdestarisë:

Etapa e parë:

Kjo etapa përfshihnë periudhën që në lindjen e fëmijës deri në mosëshën e dallimit (mes të mirës dhe të keqes). Në këtë moshë është e drejtë absolute e grave që të mbajnë kujdestarinë e fëmijës, për arsye se në këtë moshë fëmija ka nevojë për dashuri dhe për një lloj përkujdesje që mund ta bëjnë realitet vetëm gratë. Nëna ka përparësi ndaj grave të tjera në këtë periudhë të jetës së fëmijës për shkak se ajo posejdon dhembshurinë dhe dashurinë e mjaftueshme për t’ia përcjellë fëmijës. Për këtë arsye, në këtë periudhë të jetës kujdestaria e fëmijës i takon nënës sipas pajtimit të gjithë juristëve muslimanë, përveç rasteve kur për shkaqe të caktuara i mohohet kujdestaria ose në rast se nëna heq dorë nga kjo e drejtë me vetëdije për t’ia kaluar atë ndonjë gruaje tjetër. Argumenti që tregon se kujdestaria i takon gruas në këtë periudhë është thënia e të dërguarit të Allahut a.s. drejtuar një gruaje: “Ti e meriton më shumë nëse nuk martohesh.” Në këtë mënyrë ky hadith përcakton se martesa përbën një pengesë për marrjen e kujdestarisë nga nëna. Shejh Salih el Feuzan ka dhënë fetva se: “Nëse vajza është e vogël, apo fëmija mashkull ose femër është më i vogël se 7 vjeç dhe nëna e saj apo tij është e divorcuar, atëherë e drejta e përkujdesjes i takon asaj, vetëm nëse rast se ajo martohet me një burrë tjetër, atëherë fëmija kthehet tek babai i vet. E drejta e nënës për kujdestarinë e fëmijës së saj në këtë moshë është e detyrueshme. Në rast se gjendet dikush që përmbush nevojat e fëmijës, atëherë i lejohet nënës që të heqë dorë nga kujdestaria e fëmijës së saj. Në këtë mënyrë, nëse gruaja pranon të heqë dorë nga kujdestaria e fëmijës së saj në këmbim që burri t’i japë divorcin, atëherë divorci me privimin e të drejtjës është i saktë, por kushti nuk është i saktë. Ebu Bekri r.a. gjykoi që Asimi, i biri i Omer bin Hatabit, të kalonte në kujdestarinë e nënës së vet dhe i tha Omerit: “Aroma, era dhe butësia e saj është më e mirë për Asimin sesa ti.” Pra kujdestaria e nënës në këtë moshë është vendosur me pajtimin e dijetarëve.

Rregulli bazë i kujdestarisë në këtë moshë është koha e skadencës, me mbarimin e të cilës rrezohet edhe kujdestaria bazë dhe i kalon grave të tjera që janë në radhë. Shkaqet që rrëzojnë kujdestarinë bazë, pra atë të nënës, janë sëmundja, pamundësia, martesa, mungesa e sigurisë për vogëlushin për shkak të keqrritjes apo mungesës së edukatës. Me rrëzimin e kujdestarisë së nënës në këtë moshë, kujdestaria nuk i kalon në mënyrë të drejtë për drejtë burrit, por i kalon grave të afërta me nënën, duke u nisur nga gruaja më e afërt me të. Kjo nuk e përjashton e marrëveshjen mes kujdestares dhe burrit që kujdestaria t’i kalojë atij.

Etapa e dytë:

Etapa e dytë quhet etapa e moshës së dallimit, pra në atë moshë kur fëmija arrin të kujdeset vetë për veten e tij; han, pin dhe vishet vetë. Disa dijetarë e kanë përcaktuar këtë periudhë në moshën 7 vjeçare për mashkullin, ndërsa mosha e dallimit për vajzën fillon kur ajo bëhet grua, që është mosha 9 vjeçare sipas një transmetim nga imam Ahmedi. Kujdestaria e djalit në moshën e dallimit (midis së mirës dhe të keqes), sipas praktikës, fitohet duke e lënë të zgjedhë midis kujdestarisë së nënës dhe të babait. Në këtë formë kanë gjykuar një pjesë e halifëve të drejtë si Omeri, Aliu r.s. etj. Kështu ka gjykuar edhe Shurejh el Kadi. Është saktësuar se një grua shkoi tek i dërguari i Allahut a.s. dhe i tha: “Burri im dëshiron të më marrë fëmijën…” I dërguari i Allahut a.s. iu drejtuar fëmijës duke i thënë: “Ky është babai yt dhe kjo është nëna jote. Merre prej dore kë të dëshirosh.” Fëmija kapi prej dorë nënën e tij dhe ajo u nis bashkë me të.” Sahabet janë pajtuar për një gjykim të tillë. Amar el Xhermiju thotë: “Aliu r.a. më la që të zgjidhja mes xhaxhait dhe nënës sime kur isha në shtatë ose tetë vjeç.”

Një ndër parimet e konfirmuara në jurispodencë dhe gjykim përsa i përket çështjes së zgjedhjes së fëmijës është se kjo mund të bëhet në rastet që mendohet se kështu realizohet interesi i fëmijës, sepse në rast se babai është më i garantuar për jetën e fëmijës dhe interesat e tij sesa nëna, atëherë ai ka përparësi karshi saj dhe në këtë rast nuk merret parasysh zgjedhja e fëmijës, sepse ai nuk është madhor dhe preferon më tepër shpërdorimin e kohës dhe lojrat. Si rrjedhojë, nëse fëmija zgjedh palën që ia siguron të tilla argëtime, atëherë zgjedhja e tij nuk merret parasysh, por zgjidhet pala që është më dobishme për të, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Shpëtojeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lënda e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Tahrim; 6).

E drejta e fëmijës për të zgjedhur mes palëve në këtë moshë nuk njihet vetëm në rast se të dyja palët janë në të njëjtin nivel përsa i përket mundësisë për t’u përkujdesur për të drejtat dhe nevojat e fëmijës, pra përzgjedhja e fëmijës nuk është një rregull absolut. Në rast se fëmija nuk zgjedh njërin prej tyre ose i zgjedh të dy, atëherë hidhet shorti. Në rast se shorti i bie nënës, por fëmija zgjedh babain atëherë i jepet babait. Nëse babai i fëmijës mashkull apo fëmër qoftë sëmuret, atëherë mund të kujdeset nëna për të, edhe pse ajo nuk është kujdestarja e fëmijës ligjërisht. Përsa i përket kujdestarisë së vajzës në këtë moshë, nisur nga praktika dhe mendimi i pjesës më të madhe të dijetarëvë, ajo i takon babait për arsye se burrat janë më xhelozë për vajzat sesa gratë. Për këtë arsye dhe për shumë arsye të tjera legjislacioni islam e ka lënë martesën e vajzës në dorë të burrave të familjes dhe grave, si dhe nuk i ka dhënë nënës pushtet mbi veten e dhe pasurinë e vajzës.

Dijetari i nderuar Abdurrahman es-Sadi, kur është pyetur se kush e ka më te për të drejtën për kujdestarinë e vajzës pasi të ketë mbushur moshën shtatë vjeçare ai është përgjigjur: “Në mez’hebin e imam Ahmedit njihet se kjo e drejtë i takon babait dhe në një transmetim tjetër thuhet për nënë, por nëse njëra palë neglizhon në kujdestarinë e fëmijës së vet dhe nuk ia plotëson nevojat e veta, atëherë kujdestaria e njërës palë bie dhe e merr pala tjetër. Mendimi im për qëndrimin me të përzgjedhur është që të shihet interesi më i mirë, për arsye se në këtë temë shihet me përparësi gjithmonë interesi i fëmijës.”

Dijetari i nderuar Muhamed bin Ibrahimi është pyetur për një vajzë në moshën tetë vjeçare për kujdestarinë e së cilës ka patur konflikte mes nënës së martuar me një burrë tjetër dhe vëllait të vajzës nga babai i parë, se cili prej tyre e meriton më tepër kundestarinë e kësaj vajze? Shejhu – Allahu e mëshiroftë- u përgjigj: “Përderisa nëna e kësaj vajze është martuar me një burrë tjetër, atëherë asaj i rrëzohet e drejta për kujdestari, me argument hadithin e Profetit a.s.: “Ti e meriton më tepër nëse nuk martohesh.” Nëse vajza nuk ka një vëlla tjetër që e meriton më tepër se vëllai që ka kërkuar të drejtën e kujdestarisë, atëherë këtij të fundit i takon e drejta e kujdestarisë dhe zë vendin e babait të saj, nëse nuk ekziston ndonjë pengesë që ta fitojë këtë të drejtë, si p.sh: nëse është mendjelehtë apo njeri i prishur, ose ka një grua që nuk i përgjigjet nevojave të vajzës, e lëndon atë apo e neglizhon, atëherë nëna mund të fitojë të drejtën e kujdestarisë me miratimin e burrit të saj. Përsa i përket gjetjes së dispozitës së ndërmjetme mes hadithit të Profetit a.s.: “Ti e meriton më tepër nëse nuk martohesh” dhe hadithit ku i dërguari i Allahut a.s. jep vendimin që kujdestarinë e vajzës së Hamzait r.a. ta marrë tezja e saj që ishte e martuar, dijetarët kanë dhënë disa mendime, ku më i sakti është ai që ka përmendur Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, se martesa e nënës me një burrë që është i afërt i fëmijës nuk e rrëzon të drejtën e saj për kujdestarinë, ndërsa martesa e saj me një burrë të huaj për vajzën e rrëzon atë. Ky është qëndrimi më i njohur në mez’hebin e imam Ahmedit.

Nëse vajza arrin në një moshë që është e pranueshme për martesë, atëherë ajo mbetet në kujdestarinë e atij që tregohet më xheloz për të dhe siç dihet që kryesisht baballarët nga natyra janë më tepër xhelozë për vajzat e veta sesa gratë, gjë e cila e nxit atë që të përpiqet më tepër për të ruajtur nderin e saj me të gjitha format. Nëse ne i japim përparësi njëri prej prindërve, duhet të marrim parasysh mundësinë e kujdesit dhe shërbimit ndaj fëmijës.”

Së treti, kujdestaria e grave përfundon kur fëmija, mashkull apo femër qoftë, arrin në moshën e pubertetit dhe në këtë moment kujdestaria i kalon babait deri sa të arrihet mosha e pjekursië për djalin dhe mosha e martesës për vajzën. Fëmija që ka arritur moshën e pjekurisë ka të drejtën që të zgjedhë të qëndrojë me prindin që dëshiron dhe nëse është mashkull ka të drejtën që të qëndrojë i pavarur prej tyre dhe nëse është vajzë nuk e ka kë të drejtë vetëm se me lejen e babait të saj.

Kushtet e kujdestarisë:

–          Nëna të mos jetë e martuar, sipas pajtimit të sahabeve dhe thëniës së të dërguarit të Allahut a.s. “Ti e meriton më tepër nëse nuk martohesh”

–          Gruaja që merr kujdestarinë e fëmijës të ketë lidhje gjaku me të.

–          Kujdestari të jetë madhor, i llogjikshëm dhe të ruajë amanetin. Në rastin e kujdestarisë kjo do të thotë që kujdestari të jetë në gjendje ta edukojë fëmijën dhe të përkujdeset për nevojat e tij.

–          Dijetarët kushtëzojnë që feja e kujdestarit mashkull të përkojë me atë të fëmijës, ndërsa në rastin e kujdestares grua nuk kushtëzohet diçka e tillë, pra pranohet edhe në rastet kur feja e tyre ndryshon, deri në momentin kur fëmija të llogjikojë dhe të kuptojë fetë. Nëse feja e saj paraqet rrezik për fenë e femijës, atëherë i hiqet e drejta e kujdestarisë.

Këto janë kushtet që duhet të plotësojë një kujdestar dhe në rast se njëri prej këtyre kushteve nuk plotësohet, atëherë atij i mohohet e drejta e kujdestarisë duke kaluar tek pala tjetër që e meriton më tepër. Në lidhje me këtë temë ka shumë mendime, por mendimi më i goditur është se gratë e familjes janë më parësore se gratë e afërta me nënën, sepse realiteti ka provuar se fëmija lidhet më tepër me famijen e babait të vet. Nga ana tjetër ne besojmë se thelbesor është interesi i fëmijës dhe kujdesi për të. Për këtë qëllim është ligjëruar edhe kujdestaria. Përsa i përket rrëzimit të drejtës së nënës për të marrë kujdestarinë e fëmijës nëse është e martuar, një nga arsyet është fakti se legjislacioni islam ka marrë parasysh përkushtimin e gruas karshi bashkëshortit të saj dhe përplasjen e interesit të fëmijës me atë të bashkëshortit, gjë e cila mund të shkaktojë edhe ndërprejen e marrëdhënieve mes burrit dhe gruas. Ne i këshillojmë palët që synojnë marrjen e kujdestarisë së fëmijët që ta zgjidhin këtë çështje me mirëkuptim dhe larg gjykatave duke larguar kështu pasojat negative që mund të përcjellë ky konflikt tek fëmija. Por në fund të fundit gjykata mbetet zgjidhja e fundit në rast se dështojnë të gjitha zgjidhjet që kanë në bazë mirëkuptimin dypalësh.

Përktheu dhe përshtati

Hoxhë Genc Plumbi

Share

Kibla, reviste social, historike, fetare e historike 17