Dy fjalë për librin “Hartë e ligjërimit islam bashkëkohor tek shqiptarët”

Download PDF

Nga Justinian Topulli

 

Ishin vitet e para të rënies së regjimit komunist dhe në vendin tonë tashmë kishin filluar të ndjeheshin efektet e para të lirisë. Shqiptarët përballeshin me shumë të panjohura, për të cilat vetëm kishin dëgjuar të flitet, ndërkohë mundësia për të pasur një njohje të mirë të çdo të reje që sillte vërshimi i lirisë ishte gati e pamundur. Mbi të gjitha në ato vite të para mbizotëronte dëshira për të njohur, provuar dhe shijuar çdo gjë të ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Mes këtyre dëshirave padyshim ishte dhe nevoja e brendshme për të njohur, shijuar dhe shprehur lirshëm besimin në Zot, atë besim që iu mohua përdhunshëm këtij populli dhe për të cilin ai dinte shumë pak. Por mbi të gjitha shqiptarët e atyre viteve, si shumë të tjerë akoma edhe sot, nuk ishin të qartë se çfarë i priste në liri? Kush ishin ata dhe çfarë dëshironin? Pas kauzës së dështuar për ndërtimin e socializmit dhe “njeriut të ri”, për të cilat të themi të drejtën shumë nuk i besonin dhe as nuk ishin të qartë se çfarë synonin, befas një mori zgjedhjesh dhe alternativash u shfaqën. Padyshim elita e re politike e atyre viteve nxitoi të përcaktonte një kurs pro perëndimor dhe pro europian të shqiptarëve, duke induktuar tek ata, nëpërmjet ligjërimit të fuqishëm politik këtë frymë si kahun e vetëm dhe të duhur në të cilin duhet të ecnin shqiptarët. Perëndimi qe “feja” dhe “besimi” i radhës që gjeti ithtarët e tij të rinj mes bijve të këtij kombi. Ndërkohë arena shpirtërore e besimit në Zot u la e lirë dhe për të tashmë mund të kujdeseshin rojtarët e rinj të shpirtrave, të cilët vërshuan nga jashtë apo ngritën shpinën e kërrusur nga brenda, pas dekadave të dhunës ateiste. Kanë kaluar tre dhjetë vjeçar që nga ai ndryshim madhor në jetën e kombit dhe përpjekjet nuk kanë reshtur nga të gjitha anët për t’i dhënë atij një identitet të ri, qoftë ky i rigjetur, qoftë i ribërë apo i sajuar nga idetë e eksportuara ngado. Në këtë arenë idesh, ideologjish, identitetesh e përkatësish, shumë kush duket se ka busullën e tij orientuese, ideologjike e strategjike, ndërkohë mes tyre, janë muslimanët ata që duken sikur janë të vetmit të cilëve u mungon kjo busull. Edhe pse shumë prej tyre dhe në veçanti prijësit e tyre fetar duket se janë të qartë se çfarë besojnë dhe dëshirojnë, ata në realitet nuk kanë një busull apo manual të qartë doktrinar e strategjik gjithëpërfshirës, se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë rimëkëmbjen e identitetit islam të këtij kombi, apo pjesës më të madhe të tij. Mes shumë të tjerash, punës për rimëkëmbjen e jetës fetare, gjithsesi jo të vogël, i ka munguar edhe elementi sfidues intelektual, sfidë kjo e cila jo vetëm do të duhej të trondiste themelet doktrinarë të shoqërisë së sotme moderne e postmoderne shqiptare, por edhe do të ofronte alternativën e drejtë islame në këtë drejtim. Këto vite të gjata tranzicioni, në çdo aspekt, nuk kanë qenë vetëm lodhje, përkushtim dhe kontribut pa një vizion dhe plan të qartë pune, por edhe përvojë dhe reflektim për një pjesë gjithsesi të vogël të hoxhallarëve dhe udhëheqësve të rinj shpirtëror të muslimanëve të këtij vendi. Hoxha i nderuar Sabaudin Jashari, është njeri nga ata të pakët që jo vetëm ka reflektuar dhe përsiatur gjatë gjithë këtyre viteve për të gjetur busullën e duhur orientuese të asaj që është arma më e fortë, e para dhe e fundit, mbi të cilën ngrihen fetë, pra predikimi dhe ligjërimi fetar, por edhe është përpjekur si rrallë kush ta shkruajë atë dhe ta rendisë në mënyrë të detajuar. Libri që keni në dorë është i pari në llojin e vetë ndoshta, nga dora e një shqiptari, që preokupohet për fenë dhe kombin e tij njëkohësisht dhe që si synim madhor ka t’iu kthejë njerëzve rolin e humbur të besimit në jetën e tyre, e cili do t’ua bëjë këtë jetë dhe tjetrën më të mirë e të lumtur. Përmes një analize dhe paraqitje logjike e fetare libri tenton të vendosë një hartë të qartë të asaj se çfarë duhet të ketë parasysh dhe duhet të bëj një besimtar dhe në veçanti një thirrës islam, për të përmbushur misionin e tij të lartë që i ka vënë vetes, çlirimin e njerëzve nga vargonjtë e skllavërisë së kësaj bote, drejt lirisë së mëshirës dhe begatisë së pafundme që ofron Krijuesi. Libri që keni në dorë edhe pse duket teorik në gjuhën dhe artikulimin e tij, ai është hartuar për të pasur vlerë praktike, sepse në të janë përfshirë çështjet dhe temat më kryesore për të cilat ka nevojë dhe duhet të ketë parasysh një njeri që fton njerëzit për tek Zoti. Dhe natyrisht këto çështje ai i trajton nën dritën e realitetit shqiptar me të cilin ne jetojmë sot. Libri prek tema tepër të rëndësishme dhe madje të nxehta në disa raste, por aktuale për sfidat me të cilat ndeshet një thirrës islam në këtë vend, për të cilat hoxha i nderuar ka qasjen dhe jep qëndrimin e tij sesi duhen trajtuar ose çfarë qëndrimi duhet mbajtur dhe si duhet vepruar. Natyrisht ky është një libër manual dhe reflektime përvojash dhe përsiatjesh ideore dhe konceptuale, ndaj ai do të jetë një libër të cilit autori mendoj se do t’i kthehet e rikthehet vazhdimisht, për të shtuar, ndryshuar, plotësuar dhe përmirësuar, pa ndryshuar thelbin e tij, sepse është një libër i cili është shkruar me synimin për t’i rezistuar kohës. Lus Allahun që kjo përpjekje serioze e autorit të jetë një shtysë frytdhënëse për faktorin islam shqiptar në drejtim të shqyrtimit, orientimit dhe unifikimit të disa prej çështjeve me rëndësi jetike për ligjërimin islam në këto troje.

Share

KIBLA 16- POLITIKA DHE RELIGJIONI