Jetimi nuk mund të birësohet nga një person i vetëm

Download PDF

Pas një konsultimi me juristë dhe ekspertë të fushës së jetimëve dhe për mbrojtjen e të miturve Lidhja e Hoxhallarëve e Shqipërisë i paraqiti komentet e veta për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9062, datë 08.05.2003 ‘Kodi i familjes’, i ndryshuar”. Pasi u studiua me vëmendje i gjithë drafti, i cili i është paraqitur tashmë parlamentarëve dhe grupeve të interesit dhe meqenëse edhe LHSH kërkon të jetë sa më pranë familjes dhe zgjidhjes së problemeve të saj pas një konsultimi të stafit me juristë dhe ekspertë vendosi, që si konkluzion themelor të komenteve të veta t’i drejtohet Komisionit të Ligjeve dhe kryetarit të saj Ulsi Manja me sugjerimin: “heqjen e mundësisë ligjore që: i mituri të birësohet nga një person i vetëm.” Jetimi apo fëmija, i cili për një arsye apo tjetër i ka humbur njërin-apo të dy prindërit, nuk mundet t’i besohet përsëri një personi të vetëm mashkull apo femër, i cili sapo mund të ketë mbushur moshën madhore dhe akoma nuk e ka fituar përvojën e duhur jetësore për të mbajtur një familje dhe për të marrë përgjegjësitë e plota familjare, morale, komunitare e ligjore. Tashmë vështirësitë që po përjetojmë në vendin tonë e rrisin edhe më tej këtë problem, gjë e cila na e shton numrin e problemeve dhe e vendos shoqërinë tonë para një pamundësie tjetër.

Kategoria e jetimëve është një kategori shumë e ndjeshme për të gjithë ne dhe komunitetin tonë, një përgjegjësi e madhe shoqërore nga e cila nuk mund të lirohemi kollaj. Për më tepër në vijim do të gjeni komentet ligjore, të cilat tashmë ju janë dërguar Komisionit të Ligjeve.

 

 

Tiranë, më 11.02.2021

 

Lënda: Përcillen komentet mbi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9062, datë 08.05.2003 ‘Kodi i familjes’, i ndryshuar”,

 

Drejtuar:        Z. ULSI MANJA

KOMISIONI PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËN PUBLIKE DHE TË DREJTAT E NJERIUT

KUVENDI I SHQIPËRISË

 

I nderuar Z. Manja,

“Lidhja Hoxhallarëve të Shqipërisë” ju përcjell si më poshtë komentet e saj mbi parashikimet e projektligjit në fjalë.– Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9062, datë 08.05.2003 ‘Kodi i familjes’, i ndryshuar”,

Neni 2

Neni 242 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 242

I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163, të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet.

Sugjerojmë heqjen e mundësisë ligjore që: i mituri të birësohet nga një person i vetëm.

Familja është qeliza bazë e organizimit  të shoqërisë dhe themeli i saj dhe jo individi. Edhe pse familja në shoqërinë njerëzore përbëhet nga individët, ajo absolutisht nuk është një bashkim individësh numerik të veçuar e të pavarur, por një bashkësi, e cila ka lindur dhe lind, që nga gjeneza e saj, së pari nga një lidhje biologjike dhe më pas si rrjedhojë e kësaj lidhje gjaku ajo derivon natyrshëm në një lidhje sociale, emocionale dhe shpirtërore, pra në atë që quhet lidhje familjare. Mbi bazën e kësaj lidhjeje janë formuluar më pas edhe ligjet dhe normat e shoqërisë, të cilat mbrojnë pikërisht këtë njësi shoqërore, e cila në thelb dhe në gjendjen e saj natyrale është një lidhje biologjike mes një burri dhe një gruaje dhe frytit të tyre biologjik. Kjo është gjendja e natyrshme e familjes, si e tillë ajo është edhe streha më e mirë dhe e natyrshme e një fëmije. Nisur nga kjo premisë natyrale çdo ligj, që lidhet me birësimin apo marrjen në kujdestari të një fëmije, që për shkaqe të ndryshme, ka humbur këtë strehë natyrale, duhet të përpiqet në maksimum t’i sigurojë brenda mundësive këtij fëmije një mjedis të ngjashëm ose të përafërt me atë natyror. Pra në thelb çdo ligj duhet të shoh në këtë kontekst fund e krye interesin e fëmijës, i cili së pari është emocional, social e shpirtëror e më pas edhe material.

Duke pasur parasysh këtë premisë që përmendëm, vëmë re se:

Së pari në propozimin për ndryshim të nenit 241, ku përcaktohen kushtet e birësimit, thuhet se: “Ka të drejtë për të birësuar personi që ka mbushur moshën 21 vjeç dhe ka zotësi të plotë për të vepruar.”

Kjo moshë mendojmë se është tepër e diskutueshme për një çift burrë e grua për të birësuar një fëmijë. Kështu p.sh.kriteri “se ka zotësi të plotë për të vepruar”, është vetëm një kriter juridik i kufizuar dhe i pamjaftueshëm për të përcaktuar aftësinë emocionale dhe sociale, për të qenë prind. Kjo për shkak se nëse nisemi nga studimet e ndryshme akademike bashkëkohore, që kanë në fokus moshën më të mirë për të sjellë në jetë fëmijë, nga një lindje e vetë çiftit, vihet re se për një nënë koha më e mirë për lindje do të ishte në mes dhe në fund të viteve 20 të saj dhe në fillim të të 30-tave. Po kështu studime, që shqyrtojnë maturimin e trurit të adoleshentëve sugjerojnë, që truri i një personi nuk zhvillohet plotësisht deri në moshën 25 vjeç. Kështu që nëse ky interval moshe do të ishte ai më i miri për të qenë prindër, për ata prindër që i lindin fëmijët e tyre në mënyrë natyrale, çfarë mund të thuhet për atë çift, që kërkon të birësojë një fëmijë, që është fryt biologjik i të tjerëve? Ndërkohë studime të tjera vënë në dukje, se prindërit me moshë 40 e sipër mund t’i japin fëmijës një edukim më cilësor sesa ata më të rinj, kështu që në rastin e një birësimi mosha 21 vjeç mendojmë, se është e papërshtatshme për birësimin e një fëmije.

Së dyti, një problem tjetër akoma më të madh, që paraqet ky projektligj është edhe neni 242 i cili aktualisht është: “I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç atyre që janë bashkëshortë.” Dhe propozohet të ndryshohet duke u bërë: “I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm, ose nga persona që janë bashkëshortë, ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163…”.

Ligji që propozohet jo vetëm i jep të drejtë një çifti që bashkëjeton të birësojnë fëmijë, por edhe atyre që janë individë dhe nuk formojnë një strehë të natyrshme familjare!

Së pari, lejimi për të birësuar një fëmijë nga një çift burrë e grua që bashkëjetojnë, është problematik, sidomos nëse kjo bashkëjetesë ka një kontratë të kufizuar kohore mes çiftit aq sa të mos i sigurojë fëmijës kohën e mjaftueshme për t’u ndjerë dhe rritur në një familje normale dhe të natyrshme, me një nënë dhe një baba.

Së dyti, lejimi i birësimit të një fëmije qoftë edhe nga një person i vetëm, madje pa përcaktuar as seksin apo gjininë e këtij personi, është akoma më e papranueshme për interesin madhor të një fëmije. Si mundet, bie fjala, që një 21 vjeçar mashkull të birësoj një fëmijë, thjesht duke u nisur nga fakti se ligji e përcakton atë të aftë për të vepruar?!

Së treti, fakti që në jetë, sot e mot, ka pasur, ka dhe do të ketë raste kur fëmijët rriten vetëm nga një prind, nuk përbën një argument për t’i dhënë të drejtën qoftë edhe një personi të vetëm për të birësuar fëmijë. Kjo sepse një situatë e tillë edhe pse është e pranishme kudo, nuk është ajo natyrore dhe normale dhe sado e përhapur të jetë, nuk e bën atë diçka pozitive dhe të mirë për vetë fëmijën. Të gjithë e dimë shumë mirë, se çfarë problemesh emocionale e sociale madje edhe ekonomike, përjetojnë në shumë raste fëmijët jetimë apo me prindër të ndarë. Por nëse një fatkeqësi e tillë ka qenë e pashmangshme dhe të miturit i duhet të përballet me të në jetë pa dëshirën e tij, si mundet që të njëjtën situatë t’ia krijojmë atij nga lejimi i birësimit nga një person i vetëm?! Raste të suksesshme prindërimi nga një person i vetëm, nuk përbëjnë argument, se kjo është diçka normale dhe e natyrshme.Fëmija ka nevojë të rritet dhe edukohet në një mjedis ku ai ndjen lidhjen emocionale dhe sociale me një nënë dhe një baba dhe kjo është më e mira për të.Kështu që ligji duhet të shohë pikërisht këtë interes madhor emocional dhe social të fëmijës dhe të mos lejojë birësimin e tyre nga persona individë të vetëm, që nuk kanë një lidhje bashkëshortore.

Së katërti, e drejta për të pasur fëmijë, nuk mund të shërbejë si argument i mjaftueshëm ligjor për birësim i të miturve nga individët apo çiftet, të cilat nuk lindin fëmijë, sepse fëmija nuk është një objekt të drejtash, por një subjekt të drejtash. Të flasësh për “të drejtën për një fëmijë” do të thotë të instrumentalizosh dhe ta bësh fëmijën objekt të drejtash të dikujt tjetër, si të mos ishte një person, që gëzon të gjitha të drejtat e njeriut.

Kështu që nisur nga këto që u thanë më sipër, birësimi duhet të ketë si parim madhor interesin e fëmijës, që është e drejta e tij për të pasur dhe për t’u rritur e edukuar në një familje normale dhe natyrale, të përbërë nga një burrë dhe një grua, që do të zëvendësojnë në një nivel të mjaftueshëm nevojën e tij emocionale dhe sociale për një nënë dhe baba.

Në përmbyllje, Shoqata “Lidhja Hoxhallarëve të Shqipërisë”, besimplotë për marrjen në konsideratë të komenteve të mësipërme, mbetet e gatshme për të argumentuar qëndrimin e saj në diskutime me aktorët e tjerë të përfshirë në proces, duke pasur standard udhëheqës mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijëve.

 

 

Me respekt,

“Lidhja Hoxhallarëve të Shqipërisë”

Sokol Kondakçiu

kryetar

 

Share

KIBLA 16- POLITIKA DHE RELIGJIONI