Përshtypje nga libri “Shtegtim për në shtëpi” nga Abdal Hakim Murad

“Shtegtim për në shtëpi” është një libër që tërheq lexuesin me ese të këndshme dhe një përkthim të bukur. Autori, Abdal Hakim Murad, arrin të përcjellë me shumë qetësi dhe qartësi mesazhin e tij. Në çdo ese, ai shqyrton problemet e kohës sonë në mënyrë të hollësishme dhe ofron propozime të logjikshme.
Një nga pikat e forta të librit është trajtimi i temës së islamofobisë në Evropë. Autori është i aftë ta shpjegojë këtë fenomen në mënyrë të qartë dhe ka krijuar një term interesant, “lehebizëm,” për ta përshkruar. Ky term na sjell në kujtesë figurën e Ebu Lehebit, burrit që luftonte kundër nipit të vet Muhamedit, paqja dhe bekimet qofshin me të, duke bërë kështu një analogji të zgjuar.
Përveç kësaj, autori nxjerr në pah ndarjen me vendbanim mes djemve të profetit Ibrahim, Is‘hakut dhe Ismailit, dhe si kjo ndarje u tjetërsua me kohë. Si pasardhës i Ismailit në tokën e shenjtë erdhi Muhamedi, paqja dhe bekimet qofshin me të. Kësisoj, çdo musliman numërohet pasues i profetit Ismail, pra, një ismailit. Një paralele e bukur mu duk kjo, për të ritheksuar prejardhjen e njëjtë të feve monoteiste. Ky është një koncept i fuqishëm që na inkurajon të reflektojmë mbi ndikimin e kësaj historie të lashtë në shoqërinë moderne.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është trajtimi i të Frikësuarve/Frikëndjellësve, të cilët sot pretendohen si pasues të vetëm të Pejgamberit Muhamed. Autori analizon me shumë detaje se si ky grupim ka dëmtuar imazhin e islamit dhe të myslimanëve, duke shkaktuar një përcepim të gabuar.
Megjithatë, një pikë që mund të konsiderohej e dobët është dhënia epërsi tarikateve të ndryshme sufiste. Autori i atribuon këtyre tarikateve një kuptim të dalluar të fesë dhe një aftësi të veçantë për të përçuar vlerat islame. Ndërkohë, çdokush që i njeh sufistët, e ka të qartë sesa të huaj duken ata lidhur me Kuranin, Sunetin dhe realitetin bashkëkohor. „Dituria“ me të cilën ata do të epërsoheshin mbi të tjerët do ishte pretendimi i tyre për njohjen e kuptimeve të fshehta, kuptime të cilat nuk gjejnë mbështetje shkencore dhe as përkrahje nga tekstet fetare. Kjo pikë që përsëritet në disa nga esetë përpiqet të kontrabandojë në një formë ose tjetër diçka të dyshimtë.
Përfundimisht, “Shtegtimi për në shtëpi” është një libër i vlerësuar, veçanërisht për hoxhallarët, sidomos për ata që jetojnë në Evropë. Autori ofron një perspektivë të pasur dhe të reflektuar mbi temat aktuale të lehebizmit, frikësimit/frikëndjelljes dhe sfidave të myslimanëve në kontekstin europian. Ky libër udhëzon lexuesin drejt një kuptimi më të thellë të dinamikave komplekse të kohëve moderne.
H. Omer Berisha (Austri)