Qëndrim mbi përcaktimin e interesit të përgjithshëm fetar…

Download PDF

Me Emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit

 

Qëndrim mbi përcaktimin e interesit të përgjithshëm fetar për pjesëmarrjen në votime dhe proceset e ndryshme politike

 

Përcaktimi i interesit të përgjithshëm fetar (el-Masleha esh-Sher’ijjehel-Ameh) në sistemin joislam ku jetojmë duhet të bëhet përmes një serie rregullash të përcaktuara fetarisht.

Dijetarët e botës islame, si në fetvatë e tyre individuale ashtu dhe ato të dhëna nga komisione të ndryshme akademike botërore, janë shprehur për lejueshmërinë e pjesëmarrjes në votime, në sistemet politike jo-islame, kur kjo pjesëmarrje përmbush interesat fetare dhe shoqërore dhe është e domosdoshme. Ata kanë përmendur, se votimi apo pjesëmarrja në politikë, duhet të realizohet duke pasur parasysh rregullat e ruajtjes së domosdoshmërive të përcaktuara nga feja.

Përcaktimi i domosdoshmërive mbështetet te rregulli, që kanë përmendur dijetarët e shkollave të njohura juridike islame, i cili njihet me termat: “Ruajtja e pesë domosdoshmërive”, të cilat janë:

  1. Ruajtja e fesë
  2. Ruajtja e jetës (integritetit fizik)
  3. Ruajtja e mendjes
  4. Ruajtja e pasurisë (pronës)
  5. Ruajtja e familjes

Këto pesë domosdoshmëri janë detyrë themelore fetare të ruhen në çdo situatë dhe nuk lejohet të cenohen në asnjë mënyrë, qoftë kjo drejtpërdrejtë apo nëpërmjet proceseve afatgjatë. Pikërisht nga këto pesë domosdoshmëri nis dhe përcaktimi i interesit fetar dhe nëpërmjet këtij rregulli bëhet dallimi mes interesit personal dhe atij të përbashkët, mes interesave të kësaj bote dhe interesit fetar. Çfarëdo lloj cenimi dhe rreziku që i kanoset njërës nga pesë domosdoshmëritë ose të gjithave bashkë ajo është e papranueshme. Për këtë juristët islamë kanë përmendur rregullin që thotë: “Dëmi duhet patjetër të largohet” (ed-Darerujuzal).

Nisur nga sa më sipër, forcat politike dhe individët që përfshihen në politikë ose synojnë pjesëmarrjen në proceset politike, duhen gjykuar në bazë të ideologjisë së tyre, programit politik dhe veprimtarisë së tyre në praktikë.

Nëse individë apo njëra ose disa forca politike, në programin e tyre cenojnë njërën apo të gjitha domosdoshmëritë e përmendura është e domosdoshme, që dëmi i tyre të largohet nëpërmjet mbështetjes së individëve, ose të një force tjetër politike. Ky veprim nuk tregon dhe nuk bëhet mbi bazën e miratimit të gjithçkaje gjendet në programin laik të kësaj force politike, por në pamundësi të një mënyre tjetër, kjo mbështetje bëhet e domosdoshme.

Për këtë arsye juristët islamë kanë përmendur një tjetër rregull, që thotë: “Domosdoshmëritë bëjnë të lejuar gjërat e ndaluara.” (ed-Darurijjattu bi huel-mahdhurat). Por dijetarët gjithashtu kanë përmendur, se e ndaluara lejohet të përdoret në raste emergjence dhe brenda masës së nevojshme.

Interesi i përgjithshëm fetar nuk përcaktohet nga një individ i vetëm, as një grup që i përket një fryme të caktuar, dhe as nga një grup hoxhallarësh apo politikanësh të veçuar. Por kjo duhet të bëhet përmes një konsultimi sa më gjithëpërfshirës njerëzish të afirmuar në dijet përkatëse: fetare, politike, juridike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore etj., dhe studime, të cilat hedhin dritë mbi detajet e nevojshme për njohjen e realitetit, mbi të cilat ndërtohet edhe gjykimi fetar.

Interesi i përgjithshëm fetar dhe shoqëror duhet të përcaktohet përmes:

  • Gjithëpërfshirjes
  • Studimit
  • Procesit të Shuras (konsultimit)

 

Gjithpërfshirja nënkupton përfshirjen e të gjitha shtresave të muslimanëve, dhe jo vetëm interesat e një grupi apo klani të caktuar.

Studimi nënkupton analizat e qarta dhe të thelluara social-politike, bazuar mbi hulumtime dhe konstatime të ekspertëve të fushave kyçe në shoqëri, duke mos u mjaftuar vetëm me opinione apo hamendësime të përgjithshme, të njerëzve të caktuar, qofshin këta hoxhallarë apo politikanë.

Procesi i Shuras (konsultimit) nënkupton diskutimin dhe rrahjen e mendimeve, në konsulta të përbashkëta bazuar mbi studimet e lartpërmendura. Allahu i Lartësuar thotë për këtë në Kuran: “Këshillohu me ata për çështje të ndryshme!” (Surja Ali Imran: 159)  Pra, edhepse Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ishte njeriu më i ditur, më i mirë, më i devotshëm dhe më i sinqertë, Allahu e urdhëron të këshillohet me shokët e tij.

Duke përmbledhur sa më sipër themi se:

1- Pjesëmarrja në proceset politike në sistemet joislame bëhet për arsye domosdoshmërie (darure).

2- Domosdoshmëria lidhet vetëm me interesin e përgjithshëm fetar e shoqëror, i cili përcaktohet në bazë të rregullit për ruajtjen e pesë domosdoshmërive të lartpërmendura.

3- Nisur nga interesi i përgjithshëm fetar dhe shoqëror, duhet të bëhet një dallim i qartë mes interesit personal, ose klanor dhe atij të përbashkët, mes interesave të kësaj bote dhe interesave të besimit.

4- Largimi i dëmeve dhe përfitimi i dobive të përbashkëta shoqërore e fetare, nuk arrihet përmes frymës individuale dhe klanore, por përmes frymës kolegjiale.

5- Nuk është në tagër të askujt të përfaqësojë muslimanët e tjerë për të drejtat e tyre të përbashkëta, qoftë ky hoxhë, politikan apo dikush tjetër, pa u legjitimuar dhe konsultuar më parë me të tjerët, mbi bazën e kritereve që përmendëm.

6- Vota nuk i jepet dikujt, duke u mjaftuar me faktin se i votuari është besimtar ose dashamirës i fesë,  por mbi të gjitha duhet parë se çfarë ai përfaqëson, cili është projekti dhe programi i tij me interes fetar e shoqëror, dhe cilat janë proceset përfaqësimmarrëse dhe konsultative, nëpër të cilat ai ka kaluar, para kandidimit të tij.

7- Konsulta konsiderohet e rregullt, kur ajo është gjithëpërfshirëse dhe  e mbështetur në studime dhe analiza të mirëfillta nga njerëzit e ditur të fesë, të politikës dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

8- Interesi fetar e shoqëror i përcaktuar nga konsultimet e lartpërmendura, përbën edhe bazën e orientimit dhe mënyrën e pjesëmarrjes në procesin politik.

9- Këshillat dhe konsultat duhet të jenë të vazhdueshme për çdo situatë të re dhe për çdo sfidë të përbashkët, duke mos u shkëputur asnjëherë nga interesi i përgjithshëm fetar dhe social.

Share

KIBLA 16- POLITIKA DHE RELIGJIONI