Rëndësia dhe urtësia e adhurimit

Download PDF

199785_175465779171508_123989830985770_447840_829367_n[1]

Rëndësia dhe urtësia e adhurimit

 

Falënderimet i takojnë Allahut Fuqiplotë, i cili na krijoi dhe e përsosi krijimin tonë, na furnizon në çdo moment, edhe pse me gabimet e mëkatet tona nuk e meritojmë, ndërkohë mirësitë e Allahut tek ne janë aq shumë sa s’mundemi kurrë t’i numërojmë. Allahu i Madhëruar nuk e krijoi njeriun pa qëllim, por e krijoi atë që të njohë Zotin e Vet, ta falënderojë e ta adhurojë Atë. Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë: “Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, por vetëm që të më adhurojnë Mua”. Dharijatë 56.

Në qoftë se dikush do të na bënte një nder, do të na ndihmonte në një punë apo do të na gjendej pranë në problemet dhe ngushticat e jetës sonë të përditshme do të ishte mosmirënjohje po të mos e falënderonim atë. Ndërsa fisnikëri e vërtetë do të ishte atëherë kur do të mundoheshim t’ia shpërblenim. Po me atë që na krijoi, na përsosi e na furnizoi: a nuk duhet të jemi gjithmonë mirënjohës? Allahu na dha jetën, arsyen, shqisat, e mirësi të vazhdueshme brenda dhe jashtë vetes sonë, si dhe na dalloi nga kafshët e na lartësoi ndaj shumë prej krijesave të tjera. Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëronit dot.” Ibrahim 34.

Njeriu duhet t’i jetë mirënjohës Zotit për të gjitha mirësitë, e ta falënderojë Atë mëngjes dhe mbrëmje. Andaj dhe falënderimi i Allahut quhet adhurim, jo veç për faktin se na ka dhënë aq shumë mirësi, por edhe sepse ai është Krijuesi ynë e ne jemi robërit e Tij. Allahu i Madhëruar na e ka bërë obligim ta adhurojmë Atë në forma të ndryshme, në mënyrë që t’i jemi mirënjohës Atij me të gjithë qenien tonë. Njeriu e madhëron dhe e adhuron Allahun me gjymtyrët e tij nëpërmjet namazit, me brendësinë e tij nëpërmjet agjërimit, me pasurinë e tij nëpërmjet zekatit dhe me sakrificën e tij nëpërmjet haxhit. Këto adhurime me në krye namazin nuk janë mbinkarkesë për njeriun, sepse Allahu i Urtë e i Gjithëdijshëm nuk i ngarkon krijesat përtej mundësisë së tyre, që ata kanë. Përkundrazi Allahu kërkon nga ne shumë më pak nga ajo që kemi mundësi të bëjmë. Ndërkohë na mëshiron me mëshirën e Tij të gjerë, edhe pse nuk e meritojmë atë mëshirë të madhe me punët e pakta që bëjmë.

Të gjitha obligimet dhe adhurimet në Islam kanë ardhur në dobi të njeriut, sepse Allahu nuk ka nevojë për adhurimet tona, por jemi ne ata që kemi nevojë në çdo moment për Zotin tonë, i cili meriton të adhurohet në çdo moment. Namazi për shembull e përmirëson njeriun nga ana e disiplinës me veten e tij, por dhe në marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Ndërsa Zekati, ky adhurim dhe obligim i veçantë rregullon dukshëm problemet sociale të njerëzve. Zekati lufton varfërinë, shërben në uljen e papunësisë, rrit mirëqenien e njerëzve, largon armiqësinë dhe zilinë nga zemrat e nevojtarëve, si dhe rrit unitetin, solidaritetin dhe humanizmin. Zekati forcon vëllazërinë dhe ul ndjeshëm praninë e vjedhjeve, grabitjeve, mashtrimeve dhe krimeve në përgjithësi. Kurse agjërimi është një adhurim që ka dobi fetare, morale, sociale dhe shëndetësore. Agjërimi është një adhurim i veçantë që përzien mes devotshmërisë dhe përsosjes morale, e cila manifestohet nëpërmjet sakrificës, durimit, mëshirës, bujarisë etj. Agjërimi e forcon më shumë besimtarin në sinqeritetin e tij ndaj Allahut, e bën atë më të durueshëm nga uria dhe etja që të forcohet e kalitet më shumë për sprovat e jetës. Agjërimi e bën besimtarin të mendojë më shumë praktikisht për njerëzit e varfër, të cilët uriten dhe eten. Agjërimi e pastron besimtarin nga veset e liga dhe e nxit besimtarin të ndihet më afër me besimtarët e tjerë. E për sa i përket haxhit, këtij adhurimi tepër madhështor, shikojmë se ai është me të vërtetë një institucion i vërtetë edukimi shpirtëror dhe fizik me vlera të larta shoqërore. Me kryrjen e këtij riti fetar kurohen sëmundjet shkatërruese të zemrës. Aty fitohet durimi, përkushtimi, vëllazërimi, solidariteti, toleranca, mëshira dhe mbi të gjitha, barazia mes njerëzve.

Nga të gjitha obligimet dhe adhurimet e Fesë Islame namazi është adhurimi më i rëndësishëm pasi ai kryhet pesë herë në ditë, prandaj dhe shikojmë se Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) i ka kushtuar namazit një rëndësi tepër të veçantë dhe e ka quajtur “Shtylla e fesë”. Namazi është adhurimi që e karikon muslimanin plot energji besimi, e forcon atë në fenë e tij dhe e ndihmon që të bëjë një jetë islame të rregullt. Kjo sepse namazi me pesë kohët  e tij e bën besimtarin ta kujtojë Allahun e Madhëruar mëngjes e mbrëmje, natën dhe ditën. Me fjalë të tjera, namazi është adhurimi që e mban njeriun të lidhur me Zotin që e krijoi. Përveç kësaj namazi e bën njeriun të urtë, njerëzor dhe të dobishëm për shoqërinë. Namazi është rregullator i përkryer i jetës së njeriut, është ilaç për zemrën dhe ushqim për mendjen.

Në të vërtetë ky adhurim është mëshirë e Allahut për robërit e Tij, sepse në dynja njeriu nëpërmjet këtij adhurimi ruan besimin e tij dhe në Ditën e Gjykimit do t’i lehtësohet llogaria, kur të dalë para Allahut të Plotfuqishëm. I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Vepra e parë për të cilën do të japë llogari njeriu Ditën e Gjykimit është namazi. Në qoftë se njeriu është i rregullt me namazin do të jetë i shpëtuar, e nëse nuk do të jetë në rregull me të, atëherë do të jetë i shkatërruar.” Transmetuan Tirmidhiu dhe Nesaiu. Në një version tjetër që e shënon Taberaniu thuhet: “Në qoftë se llogaria e namazit do të dalë mirë do jetë më e lehtë për të në punët  e tjera, e nëse llogaria e namazit nuk del mirë, atëherë prishen dhe punët në vazhdim.”

Share

Kibla, revistë sociale, kulturore, fetare e historike 18