Suporti psiko-social i fëmijëve me nevoja të veçanta

Download PDF

(Rastet konkrete- problemet dëgjimore)

Nga Dafina Avdija

Stadi aktual i zhvillimit të shoqërisë sonë kërkon që sistemi arsimor dhe ai i fushës së psikologjisë t’i paraprijë problemeve aktuale, sociale, ekonomike dhe shëndetësore, duke bërë që nxënësit e shkollave, por edhe fëmijët me nevoja të veçanta t’iu bashkëngjiten vargut të arsimimit dhe edukimit, duke i përballuar me sukses sfidat e jetës, barrierat fizike edhe ato sociale, dhe të jenë të aftë për jetën e tyre të përditëshme, por pse jo edhe për t’u afirmuar, pasi e dimë se mjaft prej këtyre fëmijëve dhe të rinjve mund të bëhen të aftë edhe për tregun e punës.

Zhvillimi i komunikimit
Në vitet e hershme dallohet lehtë zhvillimi gjuhësor mes fëmijëve normalë, ku belbëzimet janë të kompleksuara, ndërsa atyre që nuk dëgjojnë janë të limituara. Në një familje ku fëmija nuk dëgjon komunikimi me shenja është i zakonshëm. Nëna dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes duhet ta modifikojnë gjuhën e folur nëpërmjet xhesteve, duke e bërë më të lehtë për fëmijën. Vëzhgimet me adoleshentë që nuk dëgjojnë është zbuluar se përdorimi i fjalorit dhe i sintaksës janë në nivele shumë të ulëta krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre përgjatë viteve të shkollës. Sfidat e mëdha me këto fëmijë janë zhvillimi i mjeteve efikase, që lehtësojnë komunikimin me të tjerët. Studimet psikologjike tregojnë, se zhvillimi konjitiv dhe ai social i tyre dëmtohet nëse s’u garantohen mjete vizuale, që ndërmjetësojnë komunikimin me të tjerët. Rëndësi të madhe i jepet komunikimit me xheste.
–Xhestikulacioni. Një sistem ky që prezanton gjuhën gramatikore me formën vizuale pamore, folësi shqipton duke përdorur shenja dhe në rastin e nxënësit, mësuesi duhet t’i mësojë këto dhe ta modifikojë gjuhën konform kërkesave të tyre. Shkaqet e mosdëgjimit janë shkaqe gjenetike (trashëgimia) dhe për këtë duhen konsulente gjenetikë për t’u këshilluar rreth lidhjeve martesore dhe të pasurit fëmijë. Rubeola tek nëna shtatzënë, ku në fetus përgjatë tre muajve të parë efektet janë shkatërruese. Faktor tjetër është –Meningiti, ku ai përfaqëson një invazion bakterial, i cili ndodh nëpërmjet veshit të mesëm. Gjithashtu një tjetër infeksion i rrezikshëm i quajtur –Ostis Media shkakton grumbullimin e lëngjeve në veshin e mesëm, duke turbulluar përçueshmërinë e tingullit, duke krijuar humbje të butë ose të plotë të dëgjimit, po ashtu përfshihen sëmundje të ndryshme në fëmijëri, ose dëmtime dhe të tjera probleme që mund shfaqen pas lindjes së fëmijës.
Çrregullimet dhe tipet e dëgjimit-
Dëgjimi matet zakonisht me anë të intensitetit të tingullit, që është në gjendje të kapë veshi. Niveli i humbes së dëgjimit ndahet në 5 kategori. I butë – 27-40 decibel. Moderuar 41-51 decibel. I ashpër i moderuar 56-70 decibel. I ashpër 71-90 decibel. I thellë mbi 90 decibel. Tipet kryesore të mosdëgjimit janë: Humbja sensore nervore, konduktive që konsiderohet si e përkohëshme nga infenksionet e krijimit të dyllit dhe dëmtimi i lodrës së veshit, apo edhe e ftohura e rëndë. Humbja e përhershme – pothuaj 99% është dëmtimi i nervit, edhe për shkak të gjenetikës.
Rëndësia e ndërhyrjes – Studiuesit e pediatrisë dhe psikologët theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes së hershme, pasi sa më shpejt kapet problemi, aq më lehtë bëhet trajtimi ndryshe nga ato që identifikohen shumë vonë, ku pasojat bëhen të rrezikshme dhe tëe pakthyeshme. Mungesa e dëgjimit apo humbja në fazat e para ka pasoja të moszhvillimit tek të folurit spontan. Fëmija nuk mëson të flasë, ngaqë nuk dëgjon, dhe pas kësaj këto fëmijë janë të ekspozuar edhe nga një sëre barrierash të tjera sociale, konjitive dhe motorrike, një hap tjetër tejet i vështirë ngelet.
Edukimi i këtyre fëmijëve me probleme të dëgjimit është një problem jo vetëm individual, por edhe familjar. Gjithashtu edhe bashkëpunimi në çdo hap dhe me çdo pjesëtar të saj bëhet pjesë përbërëse e tyre. Studiuesit shtrojne pyetjen, nëse fëmijët me probleme dëgjimi mësojnë për të komunikuar apo komunikojnë për të mësuar? Ata janë po aq të aftë sa edhe ata që dëgjojnë dhe leximi iu ofron akses atyre në botën e dëgjimit. Prej zhvillimeve teknologjike që kanë ndodhur vitet e fundit këtyre fëmijëve dhe nxënësve iu kërkohen aftësi në shkrim dhe lexim. Barrierat social-ekonomike të tyre, analizimi i marrëdhënieve sociale të këtyre nxënësve që nuk dëgjojnë me pjesën tjetër të shkollave të zakonshme vihet re një izolim i tyre dhe ato kanë një vetërespekt të ulët dhe ndihen inferior ndaj të tjerëve. Ndaj lypset që këta nxënës të transferohen në shkolla të specializuara, ku edhe do të gjejnë interesimin e duhur përkatës. Problemet e tyre janë të shumta dhe komplekse dhe këtij kompleksiteti i shtohen edhe pengesa të tjera, si rezultat i fatorëve ekonomikë, socialë, dhe njohuritë e pakta të punonjësve të arsimit në këtë fushë, po ashtu edhe neglizhenca për t’i arsimuar këta fëmijë si fëmijët e tjerë. Prapambetja e lehtë mendore –Të nxënit e gjuhës realizohet pa vështirësi të mëdha, por zbatimi i kësaj forme është pak e vonuar, kompetencat finale mbeten të kufizuara në nivelin e të kuptuarit dhe të shprehurit, çka do të thotë se problemet më të rëndësishme ndodhin në nivelin e persekutimit, pasi në moshë të rritur këta persona ngelen me deficencë të lehtë, ku përfshihet edhe jeta profesionale.
Parandalimi i shurdhërisë në Shqipëri.- Tentativat e para kanë filluar vite më parë, ku profesor Adnan Këlliçi dhe Pjerin Radovani duke parë mundësitë e pakta dhe të kufizuara të vendit kërkuan bashkëpunim me specialistë të rinj italianë, duke siguruar kështu bazat e para materiale dhe fëmijët shqiptarë u pajisën me proteza dëgjimi falas dhe iu nënshtruan një trajtimi logopedik. Ndërhyrja e parë ishte depistimi i uljes së dëgjimit, grumbullimi i të dhënave, edukimi dhe sensibilizimi i personelit mësimor dhe i gjithë projekti u zhvillua nën përgjegjësinë teknike dhe shkencore të Universitetit të Padoves dhe me kordinatore palën shqiptare me dr. Suela Sallavaci. Qëllime të tjera të këtij projekti ishin depistimi i problemit të dëgjimit, që në moshën foshnjore, zbulimin e hershëm, trajtimi dhe integrimi në jetën normale dhe gjithashtu në institucionet e edukimit perfshirja e tyre ne aktivitetet sociale. Të tjera programe ndërhyrjesh u ndërmorën, si: Përforcimi, Modelimi, Formësimi, ku fëmijët dhe nxënësit angazhohen në sjellje të deshirueshme, shpërblimin e tyre duke i bërë bashkëpunues me të tjerët, demostrimi i sjelljes së tyre nëpermjet videove të incizuara, ku vetë ata marrin pjesë në të. Gjithashtu këtyre nxënësve iu mësohet të përballen me problemë të përgjithshme, dhe iu sigurohet një rol aktiv, po ashtu edhe prindërve ju nxitet një marrëdhënie dhe shoqërim efektiv mes tyre.

Share

KIBLA 16- POLITIKA DHE RELIGJIONI