Takimet e LHSH-së vijojnë në jug të Shqipërisë

Download PDF

Një grup hoxhallarësh të LHSH bënë një vizitë ditore në disa qytete në jug të Shqipërisë për të qenë në kontakt me hallet dhe problemet e këtyre zonave. Turi përfshinte qytetet e Korçës, Pogradecit dhe Elbasanit në juglindje të vendit. Kryetari i LHSH-së hoxhë Sokol Kondakçiu shoqërohej nga hoxhallarët Justinian Topulli dhe Neki Kaloshi dhe ata zhvilluan fillimisht një takim me hoxhallarët e qytetit të Korçës, ku i njohën ata me aktivitetet e LHSH-së në këto kohë pandemie. Po ashtu ata u njohën edhe me sfidat me të cilat përballen vëllezerit hoxhallarë në qarkun e Korçës dhe aktivitetet e larmishme që zhvillojne këta vëllezër në fushën e davetit dhe përçimit të fjalës së Allahut tek banoret e qytetit dhe zonës përreth. Të pranishëm në këtë takim ishin hoxhallarët e nderuar Othman Agolli, Kastriot Bardhi, e disa vllezër të tjerë.

Më pas u bë një ndalesë në qytetin e Pogradecit, ku përsëri u zhvillua një bisedë e ngrohtë vëllazërore me hoxhallarët e nderuar të kësaj zone Mirel Mazelli, Dritan Shaho, Edison Kuqo, Jasin Kuqo, Kastriot Dautllari, vëllain Roland Hoxha etj. Pas namazit të ikindisë mbajti një ligjëratë për të pranishmit hoxhë Neki Kaloshi në xhaminë kryesore te qytetit. Gjatë kthimit për në Tiranë u bë ndalesa e fundit në Elbasan, ku u vijuan takimet me vëllezërit e nderuar Arben Ramkaj, Dorian Balliu dhe Rudian Zekthi. Takimet qenë të frytshme ku u shkëmbyen përvoja në fushën e davetit, si dhe për gjendjen që po kalon vendi ynë në këto kohë pandemie.

Share

KIBLA 16- POLITIKA DHE RELIGJIONI