Virtytet e mbijetesës

Download PDF
nga Justinian Topulli
Imam Muslimi përcjell në Sahihun e tij nga el-Musteurid el-Kureshij se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) të thotë: “Kur të bëhet Kiameti romakët do të jenë shumica e njerëzve.”
Kur e dëgjoi këtë Amr ibn el-As i tha: “Shiko se çfarë po thua!” Dhe Musteuridi iu përgjigj: “Po them atë që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (alejhi salatu u selam)!” Atëherë Amri i tha: “Nëse po thua këtë, atëherë tek ata gjenden katër virtyte: ata janë njerëzit më të vetëpërmbajtur gjatë një sprove, më të shpejtët në rimëkëmbje pas një fatkeqësie, të parët në revansh pas humbjes dhe më të mirët ndaj të vobektit, jetimit dhe të dobëtit. Dhe e pesta, një e mirë e bukur: ndaluesit më të mëdhenj të padrejtësisë së mbretërve.” (Sahih Muslim nr. 2898)
Kush janë rumët/romakët?
Në komentin e këtij hadithi, por edhe në raste të tjera dijetarët klasikë me emërtimin “rum/romakët” identifikonin përgjithësisht të krishterët evropianë, duke përfshirë bizantinët në radhë të parë, por edhe pjesën tjetër që njihen si romanët katolik. Në fakt emërtimi “romak” dihet se në origjinë nuk identifikon fenë, por identitetin politik të një qytetari që i përkiste shtetit romak, para se ky entitet politik të bëhej i krishterë. Perandoria romake nisi si një mbretëri e vogël në qytetin e Romës dhe me kalimin e shekujve u shndërrua në një perandori të fuqishme që sundonte kryesisht Evropën dhe Mesdheun, por edhe disa pjesë të Azisë dhe Afrikës. Sipas disa të dhënave raca e bardhë evropiane sot ka mbi 900 milion njerëz në mbarë botën, pavarësisht besimit që i përkasin.* E nëse i referohemi vetëm të krishterëve pavarësisht racës që i përkasin, ata sipas disa të dhënave përbëjnë rreth 2.4 miliard banorë, duke qenë feja me më shumë ndjekës në botë. Prej këtyre 50.1% i përkasin të krishterëve katolik dhe 36.7% protestantëve, ndërsa ortodoksëve vetëm 11.9%.** Duke u nisur nga fakti se ortodoksët janë të përqendruar kryesisht në Evropën lindore dhe në Rusi dhe katolikët dhe protestantët në Evropën perëndimore dhe në dy kontinentet amerikane, atëherë sipas këtij realiteti mund të themi se rumët e krishterë shumica e tyre janë në perëndim, ndaj dhe nëse do të ndanim mes rumëve lindor nga ata perëndimor, hadithi përfshin më së pari rumët perëndimor, sepse ata janë më të shumtë në numër sesa lindorët. Gjithsesi kjo ka më tepër vlerë për të treguar se në kuptimin e etiketimit “rum” në hadithet e Profetit, sidomos ato që lidhen me të ardhmen dhe kohën e fundit nuk mund të kufizohemi vetëm tek ortodoksët dhe pasardhësit e bizantinëve, duke u nisur vetëm nga një vështrim i kufizuar historik, ndërkohë që realiteti nuk i përjashton as rumët katolik dhe ata protestant, madje i përfshin ata më së shumti.
Virtytet e rumëve/romakëve
Në hadith thuhet se rumët do kenë numrin më të madh të njerëzve në kohët e fundit, por në të nuk përmenden shkaqet e këtij realiteti. Sahabiu Amr ibn el-As përmend shkaqet e këtij superioriteti romak. Nuk është e qartë nëse këto virtyte në lidhje me këtë temë Amri i ka dëgjuar nga Profeti (alejhi salatu ue selam) apo i ka nxjerrë nga përvoja, historia dhe njohja që ai kishte për shoqërinë njerëzor? Gjithsesi është fakt se mjaft nga sahabët na kanë lënë trashëgimi urtësi, të cilat edhe pse nuk ia kanë atribuuar Profetit, përmbajtja dhe vërtetësia e tyre tregon se afërsia me shpalljen i ka bërë ata të shqiptojnë urti që reflektojnë dritën e Zotit në to.
Sipas Amr ibn el-Asit rumët do arrijnë të jenë njerëzit më të shumtë në prag të Kiametit, jo për shkak të ndonjë rrethane historike fatlume, por për shkak të disa virtyteve që ata do të kenë. Dhe këto virtyte ajo që është e rëndësishme në këtë mes është se nuk janë tipare të lindura gjenetike, etnike, racore apo kombëtare, por fryt i edukimit, të cilat pavarësisht besimit janë një garanci e rëndësishme e mbijetesës së popujve dhe shoqërive njerëzore. Por le t’i marrim me radhë këto virtyte që përmend Amri (radijallahu anhu):
1. Vetëpërmbajtja gjatë sprovave. Ky virtyt është vlerësuar lartë si në Kuran ashtu edhe në thëniet profetike. Mjafton të përmendim për këtë fjalën e Profetit se një nga cilësitë që Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan është hilmi, ose ndryshe të qenit i vetëpërmbajtur, i matur, i qetë, i butë. Dhe në veçanti ky virtyt ka rëndësi të madhe kur ai vihet në veprim në momente delikate provokuese. Vetëpërmbajtja e ruan njeriun të mos bjerë lehtë pre e provokimeve, sidomos e atyre që mund të jenë me pasoja për të dhe bashkësinë e njerëzve të tij dhe mund t’iu rrezikojnë atyre jetën dhe ekzistencën. Kështu që sipas shpjegimit të Amrit vetëpërmbajtja duhet të jetë një tipar karakteristik i romanëve, që u mundëson atyre t’i mbijetojnë sprovave të ndryshme me të cilat përballen shoqëritë e tyre. Dhe fitne apo sprova këtu duhet të ketë kuptimin e luftërave kryesisht dhe konflikteve që rrezikojnë bashkësinë. Por a e kanë rumët e sotëm këtë cilësi? Duket se në historinë e gjatë të tyre ky tipar është më i theksuar sot në epokën moderne më shumë se në kohët e hershme, ku luftërat dhe konfliktet provokoheshin më lehtë, ndërsa sot perëndimorët mundohen t’i mbajnë ato sa më larg vetes që të jetë e mundur.
2. Më të shpejtët në rimëkëmbje pas një fatkeqësie. Ky është një tjetër virtyt që tregon për forcën e karakterit, optimizmin dhe aftësinë për të rifituar atë që kanë humbur, për të parë dritë në fund të një tuneli të errët edhe atëherë kur të tjerët nuk e shohin këtë. Këtë virtyt e gjejmë të theksuar edhe tek sjellja e Profetit, sesi ai u premtonte besimtarëve ngadhënjimin edhe pas ndonjë beteje të humbur. Kjo është një tipar shumë i rëndësishëm për jetën e një shoqërie, sepse fatkeqësitë rrënojnë shoqëritë njerëzore në çdo drejtim dhe çojnë drejt shpërbërjes së tyre, ndaj rimëkëmbja e shpejt është tregues i gjallërisë dhe aftësisë për të mbijetuar gjatë në tallazet e jetës. A e ka perëndimi këtë aftësi? Dy luftërat botërore dhe pasojat që ato lanë mbi popullsinë evropiane kryesisht dhe rimëkëmbjen e shpejt që pasoi, tregon se rumët e kanë këtë tipar që i bën të mbijetojnë më shumë se të tjerët, ndërkohë që sheh kultura e popuj, shpesh edhe të vjetër, që pas rënies nuk kanë ngritur më kokë, ose ju janë dashur vite e shekuj për ta rimarrë veten.
3. Të parët në revansh pas humbjes. Ashtu siç çdo grupim dhe shoqëri njerëzore edhe romanët kanë pësuar humbje betejash dhe disfata me të tjerët, por kjo nuk i ka dekurajuar ata që jo vetëm ta rimarrin veten, por të jenë të parët që kërkojnë revansh duke sulmuar fitimtarët e dikurshëm. Kjo do të thotë se ata nuk heqin dorë nga betejat e humbura dhe kërkojnë që sa më shpejtë të kompensojnë humbjen e shkaktuar. A e kanë romanët këtë cilësi sot? Besoj se historia moderne është tregues më i mirë i këtij tipari. Nëse i referohemi vetëm epokës së fundit të kolonializmit, do të vëmë re se fuqia ushtarake e pushtimit perëndimor u zëvendësua në një kohë të shkurtër me pushtimin ekonomik, politik dhe kulturor, që në realitet është një rikthim i pushtetit të humbur në ish kolonitë e tyre të dikurshme.
4. Më të mirët ndaj të vobektit, jetimit dhe të dobëtit. Kjo është bamirësia dhe kujdesi social që këta njerëz tregojnë në radhë të parë ndaj bashkësisë së tyre, për të mos lënë njeri të vuaj për bukën e gojës apo për nevojat minimale jetike. Sistemi i shtetit modern i mirëqenies sociale që aplikohet sot në shumë vende të perëndimit është treguesi më i mirë sesi funksionon ky virtyt sot mes tyre, shumë më mirë sesa në mjaft vende të tjera dhe se dikur, kur varfëria trashëgohej duke ndarë shoqërinë perëndimore në klasa sociale të pandryshueshme.
5. Amri u ka shtuar katër virtyteve të mësipërme edhe një të pestë, të cilin ai e ka veçuar nga të tjerët duke e quajtur një virtyt të mirë e të bukur. Ky virtyt është në thelb kufizimi i pushtetit të sundimtarit, është ndalimi i padrejtësive të tij. Ky tipar duket që është më shumë prezent pikërisht në epokën e sotme, dhe ka lidhje me sistemin e drejtësisë dhe paanësinë e tij, dhe perëndimi duket se për shoqëritë e tij e ka arritur më shumë sesa çdo shoqëri tjetër sot në botë. Kjo na kujton atë urtësinë që citohet shpesh nga Ibn Tejmije, se Allahu i jep jetë një shteti të drejtë edhe nëse ai nuk është besimtar, në dallim me një shtet të padrejtë jetëshkurtër edhe nëse ai është besimtar.
Sigurisht këto virtyte nuk janë tipare të përjetshme dhe të përhershme dhe absolute të romakëve, por së paku në krahasim me të tjerët dhe në kohët e fundit ata do t’i kenë këto karakteristika më të theksuara sesa të tjerët. Dhe janë pikërisht këto karakteristika ato që do t’iu mundësojnë atyre mbijetesën numerike më të madhe në jetën e kësaj bote, në krahasim me popujt e tjerë.
Nëse këto virtyte janë fryt i përvojës dhe historisë dhe në interes të jetës së kësaj bote, ato në Islam janë gjithashtu të lëvduara dhe të nxituara nga mësimet islame. Ka me dhjetëra tekste Kuranore dhe shembuj nga jeta e Profetit dhe historia e shokëve të tij, për drejtësinë, bamirësinë, optimizmin, vetëpërmbajtjen dhe kurajën dhe guximin për të mos u tërhequr nga humbjet, saqë mund të shkruheshin faqe të tëra për to. Por përtej asaj që i përket historisë dhe mësimeve teorike islame, ne kemi nevojë urgjente sot që këto tipare t’i vëmë në jetë dhe në veçanti pikërisht tiparin e pestë, të cilin jo pa qëllim sahabi i nderuar Amr ibn el-As e veçoi nga të tjerët.
Perëndimi romak e ka zgjidhur çështjen e kufizimit të pushtetit të sundimtarit, jo vetëm përmes kushtetutës dhe ligjeve, sepse ato ne në Islam i kemi para tyre, por edhe përmes një sistemi të atillë që ja pamundëson në maksimum pushtetarit mosrespektimin e ligjit. Sot mjaft muslimanë dhe vende myslimane nuk vuajnë për shkak të mungesës së ligjeve të sheriatit që sanksionojnë kufijtë e pushtetit të sundimtarit, por vuajnë për mosrespektimin e tyre. Perëndimi e ka zgjidhur këtë përmes edukimit në radhë të parë, dhe gjithashtu edhe përmes kufizimit kohor të pushtetit dhe zgjedhjes së tij në mënyrë demokratike nga populli. Kjo metodë nuk e lejon individin të kthehet në një despot dhe të abuzojë me pushtetin e tij me kalimin e kohës, por brenda një kohe relativisht të shkurtër garanton qarkullimin e pushtetit në duar të ndryshme, duke i mundësuar një qytetari të bëhet mbret dhe mbretit të kthehet në një qytetar të thjeshtë. Kjo metodë sigurisht që nuk është më e mira e mundshme, por garanton në një masë të madhe ndalimin e padrejtësisë së pushtetit, kur në krye të tij vjen një njeri që nuk ka karakterin dhe moralin e duhur për të sunduar.
________________
*. https://www. nationalists. org/data/european-population-by-country.html
Share

Kibla, reviste social, historike, fetare e historike 17